LDK nuk i ndërron zëvendësministrat e saj që u emëruan nga Kurti

Gjatë ditës së djeshme është votuar Qeveria e re e Kosovës, të cilën do ta udhëheqë Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Nismën Socialdemokrate, Listën Serbe dhe minoritetet tjera.

Në Qeverinë Hoti, LDK do të udhëheqë shtatë ministri: Ministrinë e Financave, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Infrastrukturës dhe Ambientit, Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Bujqësisë.

Disa nga ministrat do të jenë po ata që ishin në Qeverinë Kurti, por që do të udhëheqin dikastere të tjera qeveritare.

Reporteri ka marrë vesh se lëvizje nuk pritet të ketë as tek emrat për zëvendësministra, të cilët pritet të jenë po ata që LDK i propozoi gjatë qeverisjes me VV-në, e që u emëruan nga ish-kryeministri Kurti. Të njëjtit pritet të emërohen sërish në ministritë përkatëse.

Ndërkohë, nuk dihet ende se sa do të jetë numri i zëvendësministrave në Qeverinë Hoti, derisa ajo e kaluara, Qeveria Kurti kishte 35 të tillë.

Kujtojmë se në kohën kur Ramush Haradinaj ishte kryeministër, Qeveria kishte numër rekord të zëvendësministrave, më shumë se 80.