LDK: Nuk e kemi ende të sqaruar rrahjen në Ferizaj (VIDEO)

Ka një kohë që në Lidhjen Demokratike të Kosovës kanë nisur zgjedhjet e brendshme.

Përgjatë tubimeve në Kuvendet Zgjedhore të kësaj partie, ka pasur situata të tensionuara që kanë shkaktuar përleshje mes grupeve pjesëmarrëse në tubim.

Disa ditë më parë, dy përleshje fizike kishin ndodhur në Mitrovicë, ku si pasojë e pakënaqësive mes pjesëmarrësve, situata kishe eskaluar edhe në rrahje, me ç’rast janë anuluar këto tubime, shkruan Ballkani.info.

Në anën tjetër, dje ka ndodhur edhe një përleshje tjetër fizike në Kuvendin Zgjedhor të LDK-së në Ferizaj.

Për këtë rast, Policia e Kosovës ka shoqëruar në stacion katër persona të cilët dyshohet se janë përfshirë në përleshje.

Ballkani.info ka kontaktuar me Besian Mustafën nga zyra e informimit të LDK-së, për të marrë një qëndrim zyrtar të kësaj partie rreth këtyre ngjarjeve.

“Për rastet në Mitrovicë tashmë partia ka lëshuar komunikatë për media dhe kanë dhënë detaje andaj edhe nuk dua ta komentoj, ndërsa për ngjarjen e djeshme në Ferizaj, jemi duke marrë ende informata dhe nuk e kemi të sqaruar ende ngjarjen në tërësi. Sapo të pranojmë të gjitha informacionet nga nëndega në Ferizaj, sigurisht do të dalim me ndonjë sqarim publik apo komunikatë”, ka thënë Mustafa për Ballkani.info.

Kujtojmë se njëra nga përleshjet në Mitrovicë kishte ndodhur në prezencën e shefit të Grupit Parlamentar të partisë, Avdullah Hotit. /Ballkani.info/