LDK: Me Hashim Thaçin konsultohemi vetëm për datën e zgjedhjeve

Presidenti Hashim Thaçi nuk i ka takuar ende drejtuesit e partive kryesore parlamentare në vend pas dorëheqjes së kryeministrit Ramush Haradinaj. Ai dje ka takuar “të vegjlit” e politikës, me ç’rast ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të një strukture të re qeverisëse, ndonëse kërkesat e partive janë që të shpallen zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se partia e tij merr pjesë në konsultime me presidentin, vetëm për të caktuar ditën e zgjedhjeve.

“Besoj se po humbet kohë në këtë drejtim. Ne do t’i përgjigjemi ftesës, e cila bëhet në përputhje me kompetencat kushtetuese të presidentit. Ne marrim pjesë në këto konsultime vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”, ka deklaruar për “Zërin” shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti.

loading…