LDK kërkon që të rikthehen nga pushimi për seanca, pas gjendjes së rënduar me Covid

Lidhja Demokratike  e Kosovës është duke kërkuar që deputetët të rikthehen nga pushimet pasi gjendja me koronavirus është përkeqësuar javëve të fundit në Kosovë.

Shefi I Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se kjo parti është e gatshme për mbajtjen e një séance të jashtëzakonshme lidhur me situatën pandemike.

“Grupi Parlamentar i LDK-së, shpreh gatishmërinë për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, pas gjendjes së re të krijuar si pasojë e shpërthimit të valës së re të pandemisë dhe abstenimit të Qeverisë karshi saj.

Numri rekord i rasteve të vdekjes dhe i atyre të infektuar, sasia e vaksinave në dispozicion dhe procesi i organizimit të vaksinimit të qytetarëve, si dhe situata e rënduar në sistemin shëndetësor, janë vetëm disa nga temat e domosdoshme për diskutim të menjëhershëm nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend”, ka shkruar ai.