LDK kërkon debat parlamentar për aksidentet në komunikacion

Grupi Parlamentar i LDK-së ka dorëzuar sot kërkesën për debat parlamentar për të debatuar lidhur me aksidentet në komunikacion.

Në një njoftim për media, kjo parti ka thënë se rritja e numrit të aksidenteve në komunikacion, e që në shumë raste po përfundojnë me vdekje apo lëndime të rënda trupore e dëme të mëdha materiale, është bërë dukuri shumë shqetësuese.

“Kontrollimi dhe monitorimi i gjendjes teknike të automjeteve që qarkullojnë në rrugët e vendit tonë, bazuar në numrin në rritje të aksidenteve, është dëshmi se nuk po bëhet konform ligjeve të miratuara”, ka thënë LDK-ja në njoftim.

GP i LDK-së ka thënë se ka kërkuar që të debatohet lidhur me aksidentet në komunikacion që po përfundojnë me vdekje, lëndime të rënda trupore dhe dëme materiale, mos respektimin e ligjeve të miratuara që rregullojnë fushën e qarkullimit në komunikacion, gjendjen teknike të automjeteve dhe trajnimin e shoferëve të rinj.