Kreu i shtetit Hashim Thaçi, ka vizituar të mërkurën vonë kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Thaçi i ka shkuar në shtëpi Mustafës, i cili ka kohë që lëvizjet jashtë shëtisë së tij i ka të kufizuara.

Ky takim vjen pas takimit që Thaçi bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj kanë pasur pasdite me delegacionin e lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përbërje të John Erath dhe Brad Berkley, e prej ku mësohet se Haradinaj nuk ka pranuar që të heqë dorë nga taksa e vënë ndaj mallrave serbe.

Besian Zeneli, zëdhënës në LDK, ka dhënë versionin zyrtar të kësaj partie, për takimin e orëve të vona në mes të kreut të LDK-së, Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi.

Ka thënë se takimi ka ndodhur me kërkesë të Thaçit, dhe se i njëjti ka pasur për qëllim informimin pas takimit me përfaqësuesit e lartë amerikanë.

“Mund të konfirmoj që, me kërkesë të Presidentit Thaçi, kryetari Mustafa e ka takuar në shtëpi, ku është njoftuar nga Presidenti rreth vizitës së sotme të dy zyrtarëve nga SHBA dhe kërkesave të tyre drejtuar koalicionit qeverisës”, ka qenë deklarimi i shkurtër i Mustafës, pa dhënë më shumë detaje.