Partia e Isa Mustafës, LDK, ende nuk ka marrë ftesë zyrtare nga ana e Presidentit të vendit, Hashim Thaçit rreth takimit konsultativ përmes së cili do të caktohej data e zgjedhjeve ë jashtëzakonshme në vend.

Nga LDK po deklarojnë se në mungesë të ftesës nga Thaçi, ata po i shqyrtojnë mundësitë që të thërrasin seancë për shpërbërjen e Kuvendit.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një statusi në facebook, ka deklaruar se koalicioni PAN nuk ka mandat e as legjitimitet për ta propozuar ndonjë mandatar të ri.

“Ne ende nuk kemi marrë ftesë nga Presidenti për konsultime për të caktuar datën e zgjedhjeve. Këto vonesa janë të paarsyeshme, duke ditur se vendi nuk ka qeveri efektive. Koalicioni PAN nuk ka pasur legjitimitet tash e një vit për të qeverisur me Kosovën dhe nuk ka as tani për të propozuar një mandatar të ri. Ne do t’i përgjigjemi ftesës së Presidentit vetëm për të caktuar datën e zgjedhjeve. Asnjë temë tjetër nuk mund të diskutohen në këto konsultime”, ka sqaruar Hoti.

Tutje ai ka deklaruar se do të thërrasin seancë për shpërbërjen e Kuvendit. Por në të do të kërkojnë edhe ratifikimin e marrëveshjes së IPA’së me Bashkimin Evropian.

“Por, në mungesë të një iniciativë të tillë nga Presidenti, ne do të kërkojmë thirrjen e seancës për shpërbërje të Kuvendit, siç parashihet me nenin 83, pika b, e Rregullores të Punës të Kuvendit. Në këtë seancë, paraprakisht do të kërkojmë ratifikimin e marrëveshjes IPA me Bashkimin Evropian, e cila Kosovës i sigurojnë fonde rreth 100 mil euro. Është e rëndësishme që këto fonde të mos humben për shkak se Kosova ka pasur një qeveri jo legjitime”, ka deklaruar Avdullah Hoti.

Presidenti Thaçi ende zyrtarisht nuk u ka dërguar ftesë partive të mëdha për takimin i cili do të bënte të ditur datën e zgjedhjeve në Kosovë. Thaci sot ka zhvilluar një takim me kryetaren e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Valdete Dakën. /Ballkani.info/

loading…