LDK-ja pret që Gjykata Kushtetuese t’i hapë rrugë formimit të Qeverisë Hoti

Anëtari i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës njëherësh kryetari i komunës së Vitisë Sokol Haliti, ka folur lidhur me vendimin e mundshëm të Gjykatës Kushtetuese që mund të sjell më 29 maj për dekretin e presidentin Hashim Thaçi, për mandatarin.

Haliti tha se Lidhja Demokratike e Kosovës pret që vendimi të jetë pozitiv dhe të i lejohet mandatarit Avdullah Hoti, të formojë qeverinë e re.

Anëtari i kryesisë së LDK-së theksoi se partia që ai përfaqëson do ta respektojë vendimin e Kushtetueses pa marrë parasysh vendimin.

“Ne presim që të jetë po. Ne i kemi bërë publike qëndrime tona edhe nëpërmjet kryesisë dhe liderit. Ne do ta pranojmë edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Në demokraci duhet të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Por ne presim që vendimi të jetë pozitiv”.

“Kjo për shkak të situatës në të cilën gjendemi. Duhet të kemi qeveri funksionale me një shumicë parlamentare. Unë besoj që Lidhja Demokratike i ka 61 deputetë. Unë besoj që Gjykata do ta lejojë që mandatari Hoti të lejohet ta formojë qeverinë. Dhe kjo duhet të pranohet edhe nga Lëvizja Vetëvendosje”.