LDK-ja nuk e përkrah idenë e Hazirit për ndryshim kufijsh, analistët e quajnë të dëmshme

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka kundërshtuar idenë e nënkryetarit të kësaj partie, Lutfi Haziri, për ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë.

Haziri ka përsëritur idenë e tij se bashkimi i Luginës me Kosovën nuk e dëmton askënd, raporton KOHA.

Sipas Mustafës, deklarata e Hazirit nuk e përfaqëson qëndrimin e LDK-së.

“Qëndrimi im dhe i LDK-së, ashtu siç i referohet edhe kryeministri Hoti, është se nuk ka dialog për ndryshim të kufijve dhe shkëmbim të territoreve. Çdo deklaratë tjetër, sikurse kjo e z. Haziri, përfaqëson vetëm opinione personale, por jo qëndrime dhe veprime të organeve të LDK-së. Të gjithë ata që marrin pjesë në dialog nga LDK-ja do të mbrojnë qëndrimin e mosndryshimit të kufijve, të mosshkëmbimit të territorit dhe të ruajtjes së karakterit unitar të organizimit shtetëror”, ka thënë Mustafa.

Në anën tjetër, bashkimin e Luginës me Kosovën është duke e parë si zgjidhje të vetme për situatën e shqiptarëve atje ish-kryetari i Preshevës, Ragmi Mustafa.

Të papërgjegjshme e në favor të Serbisë e ka konsideruar diskutimin për një gjë të tillë profesori Bujar Dugolli.

Sipas Dugollit, deklarimet e politikanëve për ndryshim kufijsh do të duhej të dënoheshin nga secila parti.

Lidhur me këtë çështje KOHA ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri. Por ai nuk është përgjigjur gjatë të enjtes.

Temën për bashkimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me Kosovën e ka hapur presidenti Hashim Thaçi. Ai pati paralajmëruar që një çështje të tillë do ta shtrojë për diskutim në tavolinën e bisedimeve me Serbinë.