LDK-ja mbledhje urgjente pas ofertës së Albin Kurtit

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, kandidatja e kësaj partie për kryeministre të Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe nënkryetarët e kësaj partie do të mblidhen gjatë ditës së sotme për të shqyrtuar ofertën e Albin Kurtit nga VV për koalicion.

Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin, ish-deputeti i kësaj partie, Haxhi Avdyli, i cili ka thënë se së shpejti pritet të mblidhen dhe të diskutojnë për këtë çështje.

“Kryetari i partisë, kandidatja për postin e kryeministres së Kosovës , nënkryetaret e partisë do të mblidhen dhe shumë shpejt do ta japin një përgjigje zyrtare bazuar në rrethanat që janë”, ka thënë Avdyli.

Më tutje ai ka shprehur optimizmin e tij se dy partitë, LDK dhe VV mund të bashkëpunojnë për të mirën e vendit.

“Qëndrimi im personal ka pak rëndësi në këtë kontekst, por se çfarë qëndrimi do të merr udhëheqja që e përmenda më herët. Normalisht është momenti dhe ekziston vullneti i mirë tek dy partitë që të bëhet kthesa e madhe dhe besoj që do të bëhet një zgjidhje që është e mirë për të gjithë qytetarët dhe nuk do të jetë e bazuar aspak në gjëra partiake apo dhe interesa të tjera. Besoj që LDK në këtë drejtim i ka njerëzit shumë serioz që do të shqyrtojnë këtë kërkesë”, ka deklaruar Avdylin.

Albin Kurti, lideri i VV-së më herët i ka bërë ofertë kryetarit të LDK-së, Isa Mustafës për koalicion. Ka propozuar që të futen me listë të përbashkët, ndërsa kushdo që merr vota më shumë të bëhet kryeministër.

loading…