LDK-ja ia shanë rëndë kandidatin Albin Kurtit: Llapjanët i dinë të palarat e Bulliqit

Dega e LDK-së në Podujevë, ka reaguar ndaj pohimeve të Bulliqit lidhur me arsyet e largimit të tij nga partia, dhe gjuhës së tij, të cilën e quajnë “të nivelit të rrugës, e asesi jo të një intelektuali”.

“Ishte interesi, e jo ‘diktati e tradhtia’ në veçanti tani kur ka hyrë në koalicion qeverisës me mu atë parti, liderin e së cilës e akuzon me gjuhën e nivelit të rrugës, e assesi jo të një intelektuali!’, thotë LDK në reagimin e tyre ndaj Bulliqit, i cili në një letër të ashpër ndër tjerash po thoshte se demarkacioni ishte një nga arsyjet e largimit të tij nga LDK.

LDK ia kujton Bulliqit që në LDK, madje edhe në pozita të larta, ende qëndrojnë individë të cilët e kishin kundërshtuar demarkacionin.

LDK thotë se përmes shpifjeve të ulëta, Bulliqi po tenton të arrijë postin kryetarit të Podujevës. “Por, gjithçka përfundon në nivel dëshire për të, sepse më mirë se kushdo tjetër llapjanët i dinë të palarat e tij”, thotë LDK në reagim.

Aty thuhet se Kosova e kishte humbur trenin për liberalizimin e vizave qysh në vitin 2018. Kështu kishte thënë edhe raportuesi i Parlamentit Evropian, Igor Soltes, pas dështimit të vendit për zgjidhjen e çështjes së demarkacionit me Malin e Zi, të cilin Bulliqi e kundërshtonte ashpër.