LDK-ja dhe shansi i saj i fundit, “To be, or not to be”, me qenë, apo mos me qenë parti demokratike dhe kohezive në Kosovë

Shkruan Rexhep Elezaj

Mbeturinat e fundit të sistemit ish komunist jugosllav, të akomoduar në LDK në krye me Isa Mustafën, si asnjëherë më parë janë bërë agresive, siç po e tregon vet rrjedha aktuale e zgjedhjeve brenda kësaj partie..!?

Siç duket, komunistet dhe veglat e dikurshme të sistemit serbo-jugosllav e kanë kuptuar se elektorati i LDK-së ka zënë të vetëdijesohet, dhe këtë ri-zgjim të anëtarësisë, mbeturinat në fjalë nuk po mund ta gëlltisin, nga vet fakti se e kaluara e tyre është e lidhur ngushtë me shtetin që bëri krime monstruoze mbi popullin e pafajshëm shqiptar të Kosovës !

Ushtrimi i dhunës në Kuvendin famëkeq në vitin 2006, ku erdhi tek ndarja e LDK-së në dy pjesë, i njëjti skenar nëse, sado pak analizohen eksceset dhe rrahjet e fundit në disa tubime zgjedhore të LDK-së, nuk është fare vështirë ta kuptojmë, se dy protagonistët tragjikomik të saj, Isa Mustafa dhe Bujar Bukoshi, me hile dhe dinakëri perfide përmes saj u ngjitën në majat e politikës kosovare. B. Bukoshi u bë ministër i shëndetësisë, kurse I. Mustafa kryetar i komunës së Prishtinës, madje ky i fundit nga posti i krye-komunarit do arrinte për t’u bërë edhe kryetar partie, i LDK-së, pa qenë kurrë anëtar i saj, lojë kjo e tij/tyre, gjithnjë sipas shkollës së Kumrovcit, meqenëse partia sipas doktrinës komuniste pushtohet nga brenda e jo nga jashtë..!?

Qe të dytë këta së bashku, përveç parave të majme dhe pa dhimbshme nga djersa dhe mundi i mërgimtarëve tanë patriotë, të cilat i kishin uzurpuar nga Fondi i Republikës së Kosovës (3%), i vunë në shërbim të interesave të tyre personale, duke e përdorë edhe propagandën e sofistikuar për t’u eksponuar, si gjoja kuadro të “larta” të LDK-së..!?

Mënyra makiaveliste e propagandës së tyre shihej dhe kuptohej vetëm nga ata vrojtues që i njihnin mirë Isën dhe Bujarin, të cilët para opinionit, gjoja po e kritikonin shërbimin e fshehtë të PDK-së (SHIK), të cilin shërbim sipas burimeve konfidenciale vetë B. Bukoshi dhe I. Mustafa e kanë financuar me qëllim për ta komprometuar para popullit presidentin Ibrahim Rugova dhe familjen e tij.

Çuditërisht, po këta njerëz pas vdekjes së presidentit Rugova u futën në shtëpinë e tij dhe u pajtuan me djalin e vogël të presidenti, të cilin më pas e akuzonin për gjithçka, madje edhe emrin ia patën ndërruar..!?

Krahas veprimeve të tyre destruktive në vend, këta dy siamez i aktivizuan servilët e tyre në Perëndim, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, siç ishin spiunët dhe bashkëpunëtorët e klubeve dhe konsullatave ish jugosllave, të cilët me formimin e LDK-së mjeshtërisht u etabluan në këtë Lëvizje politike dhe nacionale, e që më vonë do ngjitën si mizat pas prapanicës së B. B. dhe I.M., pra aty ku kishte më shumë para dhe përfitime financiare.

Dhe, pas ri-ngjitjes së këtyre dy “kapadahijve” në krye të dy dikastereve qeveritare, sërish riaktivizuan disa degë të kësaj partie në diasporë të cilat me agresivitet të egër po i sulmojnë të gjitha vlerat nacionale në Kosovë si dhe ish themeluesit e degëve të LDK-së në diasporë, duke tentuar që t’i denigrojnë, por edhe t’i njollosin shumicën e patriotëve tanë në Perëndim..!?

Madje, argatët e ish sistemit komunist jugosllav, edhe sot e kësaj, dite për fat të keq, janë aktiv në mërgatë, ndonëse në numër të vogël ata po i gjuajnë shkelmat e fundit për ta mposhtur krahun patriotik-nacional-indipendent. Po qese i përcjellim me vëmendje zhvillimet politike në 4-5 vitet e fundit dhe i analizojmë ato, se kush është sot shumë aktiv për t’i futur në dorë degët e LDK-së, sidomos në dy shtetet ku ato ishin më të fuqishmet në vitet e 90-ta e këndej (Zvicër dhe Gjermani), do e kuptojmë shumë lehtë se veglat e dikurshme të shërbimeve sekrete jugosllave, me urdhër nga “lartë” janë aktivizuar mjaftë fuqishëm kundër krahut nacionalist-kombëtar, dhe të cilët nuk lënë metoda pa përdorë vetëm për ta marrë primatin në këtë subjekt politik, pra në LDK, kryekëput sipas skenarit ogurzi të I. Mustafës dhe sejmenëve të tij mediokër!

Dhe, e gjithë kjo luftë brenda LDK-së nga ish “funksionarë” jugosllavë dhe argatët e tyre mjeranë, ka për qëllim rehabilitimin e mëtutjeshëm të tyre para opinionit kosovar, të cilët dje ishin pjesë dhe shërbëtorë të regjimit jugosllav, kurse sot që nga pas lufta pa fije turpi i gëzojnë privilegjet e qeverisë, përkatësisht udhëheqin me LDK-në e presidentit Ibrahim Rugova, pa qenë kurrë anëtarë dhe kontribuues të saj. Dhe, po qese anëtarësia e mirëfilltë e LDK-së, sidomos ajo rugoviane, edhe kësaj radhe bie nën ndikimin e logjikës së tyre komuniste-jugosllave-staliniste, gllabëruese e përçarëse, atëherë e humbë të drejtën politike dhe morale që veten ta quajnë parti pluraliste, demokratike dhe shtet-formuese..!

Sepse, LDK-ja në themel është formuar si parti anti-komuniste, si forcë kohezive me premisa kombëtare dhe pro perëndimore, e cila u shtri në të gjitha nivelet e shoqërisë, me program të qartë nacional-çlirimtar për gjithë shqiptarët në Ballkanit pa dallim. Me vizion të qartë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, e cila u realizua falë pikërisht liderit të saj historik, Dr. Ibrahim Rugovës, konceptit të saj politik, shtet formues dhe demokratik, duke gjetur mbështetje të fuqishme tek faktorët ndërkombëtarë.

Domosdoshmëria e hapjes së dosjeve për secilin individ dhe politikan, sidomos të atyre që kanë pasur funksione të larta në kohën e regjimit ish jugosllav, ka qenë imperativ moral dhe juridik për Kosovën, siç e kanë bërë këtë akt përmes ligjit për lustrim gati të gjitha vendet ish-komuniste-socialiste, përveç Kosovës dhe Shqipërisë, sepse pa distancim kolektiv nga ideologjia moniste-komuniste-staliniste-enveriste dhe diktatoriale, shteti, shoqëria dhe kombi shqiptar nuk mund të lirohet nga hipotekat dhe krimet e atij regjimi që i ka ushtruar, në veçanti ndaj shqiptarëve.

Se, logjika dhe mënyra e të menduarit, e sjelljeve, veprimeve dhe të kuptuarit e sistemit demokratik brenda shoqërisë, sidomos e udhëheqjes me shtetin nga ana e pushtetarëve dhe brenda subjekteve tona politike, nuk ka ndryshuar gati fare, dhe, këtë që themi mund ta ilustrojmë me qindra e mijëra fakte çdo ditë, kudo dhe pa limit..!?

Pra, është koha e fundit që shteti dhe shoqëria kosovare të lirohet njëherë e mirë brendapërbrenda vetes nga individë dhe grupe të cilat Kosovën vazhdojnë ta sundojnë me logjikën puro serbo-sllavo-komuniste, të cilët jo vetëm LDK-së, por gjithë shoqërisë dhe shtetit tonë ia kanë zënë frymën dhe e kanë marrë peng zhvillimin e saj ekonomik, social, arsimor dhe kulturor, etj., në hap me kohën dhe proceset demokratike në Evropë e më gjerë..!

Zgjohu LDK, sepse edhe ashtu je bërë me të qajtur Rahoveci..!!