LDK i reagon VV-së pas publikimit të një sondazhi

Gjatë ditës së sotme Lëvizja Vetëvendosje publikoi një sondazh se si mund të jenë rezultatet nëse shkohet prapë në zgjedhje.

Sipas këtij sondazhi, që nuk i dihet se kush e ka bërë, LVV do të jetë e para me 42%, kurse LDK e dyta me 21%

Indeksonline kontaktoi me anëtarin e kryesisë së LDK-së dhe njëkohësisht kryetarin e Lipjanit, Imri Ahmeti.

Ai u shprehë se është çështje e LVV-së se çka mendojnë në këtë situatë. Ahmeti, po ashtu, shtoi se nëse shkohet në zgjedhje të reja, atëherë rezultatet do të jenë të njëjtat sikurse të 6 tetorit.

Kryetari i Lipjanit u shprehë se nuk e sheh të nevojshme që LDK të reagoj për këtë sondazh.

“Nuk e kam ide se a do të ketë reagim, as nuk e shohë të nevojshme të ketë reagime. Subjektet politike mund të bëjnë sondazhe siç është e zakonshme për nevoja të veta.”

“Momentumin politikë kanë tendenca pak këto opinione të ndryshme nuk kanë impakt fare në vendimmarrjen tek ne dhe nuk kanë impakt në vendimmarrjen e tërësishme si subjekt politik i LDK-së.”

“Është çështje e tyre se çfarë arsye dhe çka mendojnë me këtë situatë. Duhet llogaritur që edhe pas zgjedhjeve janë këto që janë në kuptimin e rezultateve të fundit, mund të lëvizë plus apo minus kurdoqoftë, por nëse ka tendencë të ndërrohen partnerët pas zgjedhjeve është çështje tjetër.” , tha Ahmeti.

Tutje, ai shtoi se ky sondazh nuk do të ndikoj në prishjen e raporteve aktuale mes LDK-së dhe LVV-së.

“Nuk e besoj se mund të ndikoj kjo në prishjen e raporteve aktuale, por nëse tendenca është të shkohet në zgjedhje, ne e kemi të qartë që pas zgjedhjeve sillet ky rezultat i subjekteve politike e ndërtimit të partneriteti të ardhshëm.”

“Nuk mund të ketë fitues absolut. Kërkimi që përmes zgjedhjeve të krijohen situata të reja për të provuar partneritet të reja është çështje tjetër.”, u shprehë ai.

Ahmeti në fund tha se sipas tij nuk është e nevojshme të shkohet në zgjedhje të reja, pasi rezultatin e zgjedhjeve e kemi dhe se pak a shumë të njëjtit partnerë do të jenë që do të sillen pas zgjedhjeve.

Që nga mbarimi i zgjedhjeve të 6 tetorit, dy partitë LDK dhe LVV nuk kanë arritur të gjejnë një gjuhë të përbashkët për të arritur marrëveshje për koalicionin e ardhshëm qeverisës.