LDK e PSD reagojnë pas rrahjes së dy të rinjve shqiptarë në Serbi
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se rrahja e dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad vetëm pse po flisnin shqip tregon qartë se sa tensione ka ende në mes të dy popujve.
“Rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve të dy vendeve është e gjatë. Kërkojmë që Serbia të dëshmoj kundërshtim të fuqishëm ndaj kësaj ngjarje gjenocidiale dhe të mbrojë qytetarët e udhëtarët pa dallim etnie. Kjo duhet të dëshmohet nga Serbia duke vënë shpejt kryesit e këtij akti përballë drejtësisë dhe siguruar transparencë të plotë të procedurave të ndjekura nga organet e drejtësisë për këtë rast”, ka shkruar Hoti.
Hoti në fund u ka uruar të lënduarve shërim sa më të shpejtë.
Edhe kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, ka thënë se janë të papranueshme incidentet si rrahja e dy të rinjve shqiptarë në Novi Sad.
“Dy shqiptarë u rrahën brutalisht në natën në mes të shtunës dhe të dielës në Novi Sad nga një grup huliganësh vetëm pse flisnin shqip. Çlirim Maloku është në gjendje të rëndë. Këto incidente janë të papranueshme, dhe janë pasojë e retorikës dhe politikave shoviniste që kanë mbizotëruar në Serbi një kohë të gjatë. Institucionet tona duhet menjëherë të kërkojnë përgjegjësi dhe zbardhjen e rastit nga organet e rendit në Serbi”, ka shkruar Ahmeti.
Ai tutje ka shtuar se do të punojnë me kolegët e tyre socialdemokratë në BE që të përfshijnë dënimin e incidentit në raportet mbi lirinë dhe demokracinë në Serbi.
Mes natës së të shtunës dhe të dielës, dy shqiptarë të Kosovës u sulmuan brutalisht në Novi Sad.