Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren ka kritikuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje duke e quajtur arrogante nisur nga shembulli që kanë dhënë në qeverisjën tashmë gati 4 vjeçare në Prizren.

Sekretari i kësaj dege të LDK’së, Nderim Gashi shprehet se kjo shihet në dy dimensione, nga kritikat opozitare dhe jo vetëm opozitare që nuk i ndikuan dhe gjithashtu në faktin se e kandidojnë përsëri për kryetar Mytaher Haskukën i cili sipas Gashit është “i dështuar”.

“Arroganca e LVV, shihet qartë në qeverisjen e tyre në Prizren, arroganca e tyre venerohet në dy dimensione kryesore; – kritikat opozitare, dhe jo vetëm opozitare nuk ndikuan në asnjë moment në përmisimin e qeverisjes, – përkundër qeverisjes së dobët(zgjodha termin më të but), arroganca e LVV vihet re në faktin që ata(LVV) kandidojnë Myten, edhe pse i dështuar(madje janë distancu edhe strukturat e LVV në Prizren, nga qeverisja e Mytës), se bazohen në frymën pro tyre si derivat i rezultatit pozitiv për ta, nga zgjedhjet e 14 shkurtit të 2021, dhe kalkulojnë se kjo frymë do zgjas deri më 17 tetor 2021,e do e mbaj në pushtet qeverisjen e komprometuar të LVV në Prizren.”, thuhet në reagimin e Gashit.

Më tutje ai thotë se shqiptarët nuk e durojnë arrogancën dhe sipas tij në demokraci reagimi popullor bëhet me mjete demokratike dhe se qytetari i Prizrenit do ta ndëshkojë me votë qeverisjen e VV’së në Prizren.

“Shqiptarët nuk e durojnë një arrogancë të tillë, dëshmi për këtë është historia jonë, kur reagimi popullor ishte i fort kundër arrogancave hegjemoniste e totalitare. Natyrisht në demokraci reagimi popullor bëhet me mjete demokratike, qytetaria e mirëfillt prizrenase do t’a ndëshkojë me votë arrogancën e qeverisjes së dështuar të LVV në Prizren.”, shkruan Gashi.

Kryetari i Prizrenit nga Lëvizja Vetëvendosje, Mytaher Haskuka ka qenë ndër kryetarët e komunave më të kritikuar.