LDK

LDK e pagëzon si “Pokrajinë” atë që e pranoi Kurti në Bruksel e Ohër

Lëvizja Vetëvendosje ndër vite e ka kundërshtuar fort krijimin e Asociacionit duke e quajtur “Zajednicë” atë që e kishin pranuar qeveritë në të kaluarën, gjatë negociatave me Serbinë dhe BE’në, të ndihmuar edhe nga SHBA. Por, Kryeministri Kurti të cilit tema e dialogut iu shndërrua në çështje kryesore të qeverisjes, vitin e kaluar, nuk kaloi hiç më mirë.  Negociatat që nuk u ndërprenë i rezultuan me marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, ku Kurti u obligua të sigurojë vetëmenaxhim për serbët e Kosovës. Për shumëkënd shkalla e të drejtave që siguruan ata përbën autonomi, e LDK këtë po e cilëson si “pokrajinë” (krahinë) për serbët.

Këtë term e ka përdorur kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku gjatë një tubimi partiak në Ferizaj, javën e kaluar ku ishte shënuar 34 vjetori i themelimit të degës së LDK-së.

“Natyrisht, sikurse në çdo përvjetor tjetër, edhe në këtë të degës sonë në Ferizaj, nuk mund ta kapërcej pa diskutuar mbi zhvillimet e fundit kombëtare e politike në vend” kishte thënë Abdixhiku para anëtarëve, veprimtarëve e simpatizantëve të LDK’së.

Kreu i LDK’së aty ashpërsoi gjuhën ndaj Kurtit duke i fatururar dështime për këto katër vjet qeverisje.

“Pasi kanë mbytur ekonominë, pasi kanë shpenzuar tre vite e gjysmë në ankesa mbi të shkuarën, pa dhënë një projekt të vetëm kapital, pasi kanë izoluar Kosovën, kanë pranuar autonominë si pokrainë, pasi kanë dështuar në anëtarësime e në njohje, pasi humbën betejën në Këshill të Evropës, si rast historik e si hap kapital, pasi ndanë e përçanë, ofenduan e propaganduan në nivelet më të ulëta njerëzore e politike, popullistët kërkojnë tani takim!” kishte thënë Abdixhiku.

Tutje, Abdixhiku kishte komentuar edhe takimin ndërmjet kreut të VV’së Albin Kurtit dhe atij të PDK’së Memli Krasniqit. Vetë Abdixhiku e kishte refuzuar ftesën për takim nga Kurti.

“Takim për zgjedhje por jo dorëheqje! Takim për ndarje të fajësisë mes partive, për marrje të përgjegjësisë! Instrumentalizmi i opozitës është qëllimi tyre! Në këtë instrumentalizim ata kanë gjetur dhe aleat! Por nuk do të gjejnë Lidhjen Demokratike! Ne kemi tjetër rrugëtim! Kemi Rrugën e Re! Tavolinave të darkave diskrete u japim përgjigje në mobilizim nacional të djathtë e patriotik sikurse ky sonte”, kishte thënë ai.

“Derisa të majtit bëhen bashkë, e kthehen në origjinë, ne shikojmë drejt hijes së trashëgimisë së patriotëve të mëdhenj që bënë Lidhjen tonë të jetë e veçantë! Aty gjejmë dhe nevojën për përbashkim e për ringritje si një. Dhe do të ringritemi si një! Krenarë, të djathtë, fitimtarë! Prandaj, ju them dy-tri fjalë; Ju caktojeni datën! Ne caktojmë festën!”, kishte theksuar më tej kreu i LDK’së.

Për “Pokrajinën” e Kurtit, kjo parti opozitare nuk e la më kaq.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni të mëkurën në Pressing të T7 tha se “Kryeministri i Kosovës Albin Kurti është duke e avancuar ‘Zajednicën’ siç e quan vet ai”.

Sipas Qunit, atë që Kurti e luftonte në të kaluarën në opozitë, tani në pushtet jo që e amortizoi dhe zhduki nga fjalori politik, por në fakt e solli “Pokrajinën” në Kosovë.

“Si një luftëtar që fuqishëm që fuqishëm e ka kundërshtu çështjen e Asociacionit që ai e ka quajtur me terma sllav ‘Zajednica’, ne tani vijmë në një situatë që në bazë të marrëveshjes së Ohrit jo që është luftu ‘Zajednica’, por kjo ‘Zajednicë’ është avancu dhe tani ne si LDK e konsiderojmë që ai e ka sjellë një shtet brenda shtetit. Për atë që ai luftonte në të kaluarën në opozitë, jo që e amortizoi, e zhduki nga fjalori politikë, ai në fakt po shprehem me gjuhën e tij, e sjelli ‘Pokrajinën’”, deklaroi Quni.

Edhe deputetja Doarsa Kica -Xhelili e përmendi marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit e sheh si “Pokrajinë” teksa foli për refuzimin e LDK’së për ta takuar Kurtin.

“Ne nuk vlerësojmë që bota sillet rreth një individi që supozon që mundet me kontrabandu interesa tek parti tjera opozitare kur të don ai. Ne i kemi qëndrimet dhe parimet tona si parti politike. Në qoftë se modeli që e krijon në shoqëri qe tre vite e gjysmë e çnjerëzon diskursin publik dhe sjell ‘Pokrajinën’ në vend të ‘Zajednicës’ teksa ne i votojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare, teksa këto biseda mund të bëhen në Kuvend, pse duhet unë të vi në një darkë me ty, me personin i cili ka bërë atë që e tha zoti Quni, të ka trajtuar si të afërm me Vuçiqin në kuptimin e interesave” ka thënë Kica-Xhelili.