LDK

LDK e mban ende të fshehtë marrëveshjen me Listën Serbe

Lidhja Demokratike nuk e ka zbuluar ende marrëveshjen e koalicionit me Listën Serbe, as nuk ka treguar për kushtet e këtij subjekti dhe nëse aty është përfshirë kërkesa e përhershme e Listës për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. LDK-ja, e cila nominoi Avdullah Hotin për kryeministër pasi presidenti ia kërkoi mandatarin, nuk e ka vënë në dispozicion marrëveshjen as të hënën, edhe pse zyrtarë të saj prej 29 prillit kanë premtuar ta bëjnë publike atë, ashtu siç është vepruar pas arritjes së marrëveshjeve me partitë shqiptare në koalicion – Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismën Socialdemokrate.

“Pritjet tona janë që brenda ditës t’i publikojmë, nëse nuk arrijmë, nesër”, kishte theksuar Avdullah Hoti më 29 prill, pas arritjes së marrëveshjes me Listën Serbe, raporton KOHA.

“Mund ta publikojmë sot marrëveshjen me Listën Serbe, kështu që marrëveshja do të jetë e njohur për krejt opinionin”, kishte thënë Isa Mustafa më 1 maj, ditën kur Gjykata Kushtetuese vendosi masë të përkohshme për dekretin e presidentit deri në nxjerrjen e aktgjykimit të plotë, më së largu më 29 maj.

Gazeta ka pyetur Hotin dhe zëdhënësin e LDK-së, Besian Mustafa, për marrëveshjen, por këta nuk janë përgjigjur.

Në secilën prej marrëveshjeve të kaluara për krijimin e qeverive, përjashtuar këtë të fundit të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje, kushti i Listës Serbe ka qenë themelimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Edhe në marrëveshjen e vitit 2014 ndërmjet PDK-së, LDK-së dhe Listës Serbe, krahas ndarjes së kulaçit të pushtetit, Lista Serbe pati kërkuar: të formohet Asociacioni/Bashkësia në afat prej 3 deri 5 muaj nga nënshkrimi i marrëveshjes; Tretman të veçantë gjatë procesit të privatizimit në komunat me shumicë serbe; Kthimin e të zhvendosurve serbë dhe joshqiptarë me garanci të sigurisë nga ana e Qeverisë dhe kryeministrit; Kthimi dhe mbrojtja e pronës së uzurpuar.