LDK e lëshon seancën: Nuk ka arsye të qëndrojmë nëse Kurti nuk është prezent

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka deklaruar se ky subjekt politik nuk e sheh të arsyeshme të qëndrojë në seancën e jashtëzakonshme nëse kryeministri Albin Kurti nuk është prezent në Kuvend.

Ai ka thënë se seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryeministri Kurti është shtyrë nga dita e martë për në ditën e sotme, për arsye se Kurti kishte takim në Bruksel, por që sot nuk ka ardhur në Kuvend.

“Ne jemi pajtuar për shtyerje të seancës së jashtëzakonshme për shkak se kryeministri ka qenë në takim në Bruksel, tash nuk po e di a ka arsye të mungojë në sallë ose është vonuar fluturimi, por nuk po e shoh të arsyeshme të qëndrojmë në sallë nëse kryeministri Kurti nuk është këtu. Kështu që nëse keni informacion se kryeministri do të kthehet, atëherë më mirë është që deputetët të presim nëpër zyrat tona në Kuvend deri sa ai të vijë, pasi që nuk kemi me kë të debatojmë pa qenë prezent personi që na ka ftuar në seancë të jashtëzakonshme”, ka thënë Gashi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Shefes së Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lila, e cila ka thënë se vizita e Kurtit në Bruksel nuk ka qenë arsyeja e shtyrjes së seancës.

“Ajo çfarë tha Gashi nuk ka qenë arsyeja e shtyrjes së seancës, por të martën kemi pasur mbledhje gjashtë Komisione Parlamentare, andaj jemi pajtuar për shtyrje të seancës. Këtu prezent janë zëvendëskryeministrat e ministrat, andaj nuk shoh arsye për të mos debatuar”, ka thënë Kusari-Lila.

Pas fjalës së Arben Gashit, deputetët e LDK-së janë larguar nga salla e Kuvendit.

Kërkesë për shtyrje të seancës së jashtëzakonshme ka pasur edhe nga Aleanca për Ardhmërinë  e Kosovës.