Ka filluar seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës, me kërkesë të kryeministrit Haradinaj.
Në rend dite të kësaj seance është shqyrtimi dhe miratimi i pakos së projektligjeve për sundim të ligjit si dhe agjendën integruese evropiane, raporton lajmi.net.
Sapo ka filluar seanca LDK-ja dhe Vetëvendosja kanë cilësuar se kryeministri Haradinaj nuk e ka në kompetencë të kërkojë seancë të Jashtëzakonshme për votim në lexim të dytë të projektligjeve.Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se seanca e sotme nuk ka objekt, dhe si e tillë nuk mund të mbahet.“Konkludimi kryesor është se kryeministri nuk mund të thirë seancë për lexim të dytë të ligjeve sepse është në kompetencë të Kuvendit. Seanca e sotme nuk ka objekt dhe nuk duhet të mbahet si e tillë”, ka thënë ai.
Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka thënë se me këtë rast nga Kuvendi po përdoren standarde të dyfishta.
Ajo tutje shtoi se ka një mungesë të vazhdueshme të planifikimit dhe përgatitjes.
“Këtu po përdoren standarde të dyfishta sepse në Kuvend tani janë rreth 40 deputetë. Ka një mungesë të vazhdueshme të planifikimit dhe përgatitjes. Në vend që sot të kishte një koordinim mes Qeverisë dhe Kuvendit, sot jemi në këtë seancë në shqyrtimin e pakos së ligjeve që kanë të bëjnë me sundimin e ligjeve dhe integrimeve evropiane”, ka thënë ajo.“ Çështja tjetër është që Qeveria nuk ka të drejtë t’i kërkojë Kuvendit kohë për votim në shqyrtim të dytë të projektligjeve”, përfundoi ajo.
Haxhiu foli edhe për takimet e presidentit Thaçi në Paris, për të cilat tha se duhet të mbahet seancë e jashtëzakonshme.







