Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës sot kanë arritur marrëveshjen për krijimin e koalicionit qeverisës.

Kurti njoftoi para medieve se Qeveria e udhëhequr nga ai, do t’i ketë 15 ministri, dy zëvendëskrzeministra dhe 33 zëvendësministra. Ai rritjen e numrit të ministrave nga 12 në 15, e tha me arsyetimin se më mirë të jetë reduktimi në 15 ministri, sesa të presin më gjatë për 12 ministri.

“Jemi dakorduar që t’i kemi 15 ministri dhe 33 zëvendësministra kjo tregon se qeveria jonë ende pa ia nisur punës ka bërë një ndryshim të madh pasi është qeveria më e vogël. Ne kemi vlerësuar që synimi ynë që t’i kemi 12 ministri ka qenë i drejt, por kemi thënë se është një tendencë për të kursyer sa më shumë, por në anën tjetër është dëshmuar se krijimi i disa superministrive është kosto më e madhe se sa t’i kemi 12 ministri. Më mirë të bëjmë reduktimin më të shpejtë në 15 ministri se sa të presim më gjatë për 12 ministri”, ka thënë Kurti.

Por në fillim të diskutimeve e përgjatë fushatës, fjalët nuk ishin kësisoj.

Ishte Lëvizja Vetëvendosje ajo që insistonte me çdo kusht t’i bënin 12 ministri, me qëllim që të zvogëloheshin shpenzimet dhe të ndalej keqqeverisja.

“U dakorduam që t’i zvogëlojmë ministritë nga 21 sa kanë qenë në keqqeverisjen e kaluar, t’i sjellim diku në 12. Por, edhe të mos jenë më shumë se një e treta e zëvendësministrave nga keqqeverisja e kaluar dy vjeçare, të mos jenë rreth 80 prej tyre, por një e treta e asaj çfarë kishim. Gjithashtu u dakorduam që 30 për qind edhe të ministrave dhe të zëvendsministrave të jenë gra në kuadër të përpjekjeve tona për barazi gjinore”, kishte thënë Albin Kurti kohë më parë.

Ndërkohë, nesër pritet të mbahet seanca e Kuvendit ku do të bëhet votimi i Kurtit për Kryeministër dhe zgjedhja e kabinetit qeveritar.