Koalicioni LDK- AAK- Nisma janë drejt finalizimit të marrëveshjes përfundimtare për bashkëqeverisje.
Gazeta Blic merr vesh se nga ora 15:00 pritet të zhvillohet një takim i të nominuarit për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti me liderin e AAK-së, ndërkaq, menjëherë pas këtij takimi, ai do të takohet edhe me liderin e Nismës, Fatmir Limaj.
“I nominuari për kryeministër nga LDK, Avdullah Hoti pritet nga ora 15:00 ta filloj takimin me liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj. Pas këtij takimi, ai do të zhvilloj një takim të ndarë edhe me Limajn. Pritet që në këtë takim të definohen edhe detajet e fundit, para se të formalizohet marrëveshja për bashkëqeverisje”, tha ky burim.
AAK-së do t’i takojnë 4 ministri, derisa dy të tera Nismës.
Burime të Gazetës bëjnë me dije se nga AAK janë propozuar këta emra për ministra: Besnik Tahiri, Selim Selimi, Meliza Haradinaj- Stublla dhe Blerim Kuçi.
LDK e Lista Serbe janë dakorduar për bashkëqeverisje.
Partia e drejtuar nga Goran Rakiq me qeverinë e re do të ketë shumë më shumë pushtet. Pos dy ministrive, kjo parti do t’i ketë edhe dy pozita të larta qeveritare.Sipas burimeve të Gazetës Lista Serbe dhe LDK janë pajtuar që kjo parti ta ketë një zëvendëskryeministër, 2 ministri si dhe drejtorin e Zyrës për Komunitete në kuadër të Kryeministrisë.
“Ky është dakordimi ndërmjet partive, pritet vetëm të formalizohet kjo marrëveshje”, tha ky burim . Kjo marrëveshje është arritur shpejt, për faktin se janë pikërisht votat e Listës Serbe, që mundësojnë arritjen e shumicës parlamentare, për formimin e qeverisë së re, të cilën pritet ta drejtoj Avdullah Hoti.Zyrtarisht askush nuk ka dashur të flas për këtë marrëveshje.







