Gjatë vizitës së presidentit rus Vladimir Putin në Beograd, nuk kishte ndryshime në atë që ka thënë në publik dhe atë që thënë pas dyerve të mbyllura, ka pohuar sot ministri i jashtëm serb, Ivica Daçiq.
Ai ka shtuar se Serbia e ka pritur me ngrohtësi delegacionin rus, sepse kanë “lidhje vëllazërore”.
“Tema bazë është një miqësi e madhe që ekziston, jo një karakter historik i një miqësie të përjetshme, por një miqësi e provuar në punën, planin politik dhe ekonomik. Ne kemi rezultate të mira në periudhën e mëparshme, në ekonomi mund të jetë më mirë. Në pjesën politike, nuk kishte shumë ndryshim midis asaj që u tha hapur dhe asaj që u tha pas dyerve të mbyllura. Kjo është një mbështetje e plotë për Serbinë. Të dy, Putin dhe Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, janë të njohur me situatën”, ka thënë Daçiq, transmeton Gazeta Metro.
Ai gjithashtu ka deklaruar se sipas urdhrit të Putinit, në prag të vizitës së tij në Beograd, Lavrov i ka dërguar një letër përfaqësueses së lartë të BE-së, Federica Mogherini, ku i ka kërkuar që ta informojë edhe atë rreth dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Ajo u përgjigj një ditë para vizitës së tyre në Beograd dhe nuk tha asgjë në thelb. Por, ajo tha se nëse kjo marrëveshje do të arrihej, ajo duhet të verifikohet nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, ka thënë Daçiq.







