Profesori universitar

Latifi: Veç dy njerëz po bëjnë opozitë, Haradinaj e Molliqaj

Profesori universitar, Blerim Latifi, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se opozita në Kosovë është shumë e dobët karshi Qeverisë Kurti.

Ai ka thënë se njerëzit që nuk janë fare deputetë po bëjnë më shumë opozitë se sa deputetët e opozitës brenda Kuvendit.

“Veç dy njerëz po bëjnë opozitë, Haradinaj e Molliqaj. Ramush Haradinajn në Kuvend dhe Dardan Molliqajn në rrugë. Haradinaj tregoi opozitë në seancat e fundit. Ndërkaq, LDK dhe PDK po konsumojnë shenjën e parë të gjendjes depresive, mungesën e vullnetit për t’u ngritur nga shtrati”, tha ai.

Tutje Latifi tha edhe se LDK e PDK do të fundosen edhe më shumë nëse vazhdojnë të bëjnë të njëjtat veprime sikur deri sot. “PDK, LDK e AAK kanë harru edhe qysh bohet opozita”, ka thënë ai.

Nderkohe, Ish-ambasadori i Kosovës në disa shtete europiane, Bernard Nikaj, ka thënë në emisionin Pressing në T7 se Albin Kurtit po i mungon një opozitë konstruktive dhe se ai nuk po sfidohet.

Nikaj tha se partive opozitare po iu mungon edhe një qëllim i ekzistencës dhe nuk po kanë asgjë me të cilën mund të kritikojnë qeverinë.

“Sot Kosova nuk po ka opozitë. Me 14 shkurt LDK e ka prekur fundin dhe tani është drejt një reformimi i cili nuk dihet se sa do të zgjasë. PDK e ka humbë qëllimin e ekzistencës”, tha ai.