Latifi përfundon intervistimin në Hagë, nesër kthehet në Kosovë

Rreth dy orë ka zgjatur intervistimi në Hagë i kreut të Rahovecit, Smajl Latifi.

Ai është intervistuar sot në Zyrat e Prokurorisë Speciale në Hagë.

Siç merr vesh Koha.net, ai do të kthehet në Prishtinë nesër, rreth orës 11:30.

Ish-komandanti i Batalionit të 3-të të Brigadës 124 të UÇK-së, ishte thirrur fillimisht për t’u intervistuar më 30 tetor, por intervista për të është shtyrë disa herë.

Atij i ishte kërkuar të sillen dëshmi para Prokurorisë së Specializuar, për Kosovën.

Zyrtari i AAK-së kishte thënë se është i bindur se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër, prandaj edhe i është përgjigjur ftesës duke u treguar hetuesve dëshmitë për krimet e bëra nga Serbia.

Sipas tij, secili pjesëtar i UÇK-së ka zhvilluar luftë të pastër dhe thotë se kjo gjykatë, të cilën e quan të padrejtë dhe të manipuluar, nuk mund të vendosë drejtësi.

Përveç Smajl Latifit, ftesë nga Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka marrë edhe Milaim Latifi, ish-ushtar i UÇK-së dhe epror i TMK-së.

Gjykata Speciale në Hagë, deri më tash, ka ftuar për intervistim mbi 100 persona në cilësinë e të dyshuarve, por edhe dëshmitarëve, megjithëse ende zyrtarisht nuk ka ngritur asnjë aktakuzë.