Latifi për Edi Ramën: Është “bishë politike”

Blerim Latifi, profesor i Filozofisë në Universitetin e Prishtinës, ka thënë të hënën se Edi Rama “është bishë politike”.

Kështu ai e ka lavdëruar kreun e ekzekutivit shqiptar pas takimit të cilin e kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin – gjatë mbledhjes së përbashkët të dy qeverive shqiptare.

“Në fushën e marrëdhënieve me publikun Edi Rama është një “bishë politike”. Kudo që shfaqet e zotëron menjëherë hapësirën politike dhe e errëson praninë e të tjerëve”, ka shkruar Latifi në Facebook. “Vetësiguria e madhe në ato që thotë, spontaniteti dhe ironia goditëse e batutave të cilat nuk i harron kurrë, të kombinuara me fizikun e pazakontë, mbase e shpjegojnë këtë”.

Edi Rama të dielën ishte për vizitë te familja e ish-presidentit, Hashim Thaçit i cili gjendet në paraburgim në Hagë.

Pas kësaj, ai e kishte një takim me një grup gazetarësh dhe analistësh politikë. E të hënën në mëngjese para se të takohej me Kurtin, u takua me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.