Latifi: Në dialog kushte vendos ai që është më i fuqishëm

Profesori universitar dhe njohësi i çështjeve politike, Blerim Latifi e ka komentuar takimin e sotëm të kryeministrit Kurti me presidentin serb, Aleksander Vuçiq.

Ai ka thënë se katër propozimet e Kurtit duken mirë si retorike politike, por si kushte për ndryshimin e karakterit të dialogut, nuk funksionojnë dot.

Ai shkruan se në negociata kushte vendos ai që është më i fuqishëm se pala me të cilën bisedon.

“Në shtatë vitet e fundit politika kosovare ka punuar sistematikisht në dobësimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë”, ka shkruar Latifi transmeton “Indeksonline”.

Postimi i plotë:

Katër propozimet e Kurtit në takimin e tij me Vuçiqin duken mirë si retorikë politike, por si kushte për ndryshimin e karakterit të dialogut, nuk funksionojnë dot.Këtë do ta marrim vesh së shpejti.

Në një dialog apo negociatë kushte vendosë ai që është më i fuqishëm se pala me të cilën bisedon.

Në shtatë vitet e fundit politika kosovare ka punuar sistematikisht në dobësimin e pozicionit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës në raport me Serbinë. Si rezultat sot ne jemi në situatën kur as nuk mund t’i imponojmë kushtet tona të dialogut e as të tërhiqemi prej tij, ndërsa rezistenca e Kurtit do të ballafaqohet me rrezikun për t’u vlerësuar si pozicion destruktiv nga europianët dhe amerikanët. Dihet se tradicionalisht kështu është vlerësuar pozicioni i Serbisë, por fatkeqësisht tani rolet janë ndryshuar dhe kjo krejtësisht për fajin tonë.