Kooperativa Bujqësore “Krusha” po përballet me kërkesa të mëdha në treg, të cilat tejkalojnë kapacitetet aktuale të prodhimit, pavarësisht punës së pandalshme të stafit.
Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi, gjatë një vizite në këtë kooperativë u takua me udhëheqësen e saj, znj. Fahrije Hoti, e cila njihet si gruaja e pathyeshme dhe forca lëvizëse e këtij biznesi. Ajo tregoi se produktet kryesore të kooperativës, përkatësisht perimet e konservuara, tashmë gjenden në raftet e marketeve në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Rreth 80% e prodhimit eksportohet, ndërsa 20% shitet në tregun vendor. Kooperativa punëson afërsisht 50 punëtorë, prej tyre 15 sezonalë.
E themeluar nga gra që përmes sakrificës dhe dhimbjes ndërtuan një model suksesi, KB “Krusha” sot përfaqëson një shembull frymëzues të fuqisë së gruas, profesionalizmit dhe optimizmit për të ardhmen.
Latifi falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe uroi suksese të vazhdueshme për këtë iniciativë që po e bën të njohur emrin e Kosovës në tregjet ndërkombëtare.







