Blerim Latifi sapo ka ndarë me publikun edhe statusin e radhës në përpjekjen për ta përndritur shoqërinë në lidhje me marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, dhe në lidhje me komentet në Kosovë për çështjen.
Sipas tij janë “dy opsione mbi marrëveshjen Kosovë-Serbi”, edhe pse ai ndoshta nuk e ka fjalën për opsion por për pozicion politik.
Sidoqoftë, mendimi i tij është që njëri opsion thotë se administrata amerikane është për Kosovën dhe tjetri se administrata amerikane është me Serbinë.
Kujtojmë që së fundi në Kosovë ka një rritje drastike të frymës anti-amerikane në vend, megjithëse nuk dihet origjina e tij.
Statusi i plotë i tij:
Dy opcione mbi marrëveshjen Kosovë – Serbi po përplasen aktualisht. Njëri është opcioni optimist që thotë se Amerika është me ne dhe në fund na pret një marrëveshje e favorshme për Kosovën. Opcioni tjetër është pesimist dhe thotë se Amerika po ia mban anën Serbisë, prandaj jemi duke shkuar drejt një marrëveshje të dëmshme për Kosovën. Si optimistët edhe pesimistët gabojnë, sepse nuk e shohin një gjë: pozicioni aktual amerikan nuk është as kundër Serbisë, as kundër Kosovës. Është një pozicion i baraspeshuar. Po të mos ishte i tillë, Vuçiqi nuk do të hynte kurrë në Shtëpinë e Bardhë që të bisedoj për Kosovën. Dihet se pozicionet e baraspeshuara të ndërmjetësuesve nuk rezultojnë me marrëveshje ku njëra palë fiton gjithçka dhe pala tjetër asgjë. Ato rezultojnë me kompromise ku dy palët fitojnë dhe humbin diçka reciprokisht.







