Lamborghini prezanton versionin e ri të Huracanit

Pas disa paralajmërimeve, kompania italiane e super-veturave, Lamborghini, sot ka prezantuar zyrtarisht versionin e ri të modelit të saj të famshëm Huracan.

Ky version i përditësuar mban etiketën Huracan Evo, në mënyrë që të dallohet nga versioni LP640-4 Performance.

Për dallim nga Huracani aktual, versioni Evo vjen me pjesën e pasme më ndryshe, duke përfshirë mbrojtësin e ri të pasmë shtesë (difuzer), dritat me dizajn të ri si dhe tubat e sistemit të shkarkimit të gazrave të vendosura mbi ‘difuzer’.

Gjithashtu, Evo ka një pamje ‘agresive’ të pjesës së përparme, me mbrojtësin e përparmë të ri, mbrojtësin shtesë (spoiler) me vrima për ajër, transmeton Koha.net. Po ashtu, vjen edhe me rrotat “Aesir” prej 20-inç, vrimat për ajër në pjesët anësore si dhe me eksterier me ngjyrë portokalli.

Lamborghini Huracan Evo vjen edhe me motor 5.2-litër V10 me kapacitet prej 470 kW/640 kuajfuqi, gjë që është e mjaftueshme që shpejtësinë nga 0 deri në 100 kilometra në orë ta arrijë për 2,9 sekonda, deri në 200 km/h për 9 sekonda dhe atë maksimale deri në 325 km/h. Ndërsa për ndalim nga shpejtësia prej 100 në 0 km/h Huracanit Evo i nevojiten 31.9 metra distancë. Po ashtu, versioni Evo peshon 1,422 kilogramë.

Versioni i ri i Huracanit ka sistemin e ri të shkarkimit të gazrave, amortizatorët e rinj, sistemin e tërheqjes me të gjitha rrotat, sistemin LDVI (Lamborghini Dinamica Veicolo Integrata – njësia qendrore që kontrollon të gjitha aspektet dinamike të vozitjes), ekranin 8.4-inç Touchscreen, disa opsione (module) të vozitjes – Strada, Sport dhe Corsa, si dhe një numër ndryshimesh në interier.

Sa i përket çmimit, Lamborghini Huracan Evo në Gjermani kushton 193,720 euro.