“Lajthitje nga SHSKUK”, Oda e Mjekëve kundër që kërkesat për pushim të bëhen 3-6 muaj më herë

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik, Pranvera Zejnullahu Raci, ka kërkuar nga stafi shëndetësor që kërkesat për pushimet vjetore t’i bëjnë 3-6 muaj më herët. Por, kjo kërkesë sipas Odës së Mjekëve është e paligjshme

Kërkesa e Shërbimit Spitalor të Kosovës, që stafi shëndetësor të paraqesë kërkesat e pushimit vjetore 3-6 muaj më herët, po shihet si kërkesë e jashtëligjshme. Kështu tha, Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu në një prononcim për Insajderi, pasi sipas tij koha është e kërkesave është e përcaktuar me ligj.

“Kjo çështje është e rregulluar me ligj të punës dhe nuk do koment. Planifikime paraprake gjithnjë ka pasur por kërkesat për pushim janë të përcaktuara me ligj”, tha ai.

Sejdiu, tha se këtë kërkesë e sheh më shumë si lajthitje të zyrës së personelit të Shërbimit Spitalor.

“Nuk shoh fajin e znj. Zejnullahu sa një defekt profesional apo qitje në lajthitje të zyrës së personelit në ShSKUK”, tha ai për Insajderin.

Sipas Ligjit të Punës, Neni 37 – pika 3, thuhet se “Për intervalin kohor të shfrytëzimit të pushimit vjetor, i punësuari duhet ta njoftojë punëdhënësin më së paku pesëmbëdhjetë (15) ditë para fillimit të shfrytëzimit të pushimit vjetor”.

Pas dorëheqjes së ish drejtorit, Valbon Krasniqit në Gusht, pozitën si UD. Drejtoreshë e Përgjithshme në ShSKUK-së e mori gjinekologia, Pranvera Zejnullahu – Raci.

Insajderi ka provuar të kontaktoj edhe me Ushtruesen e detyrës së drejtoreshës së Shërbimit Spitalor Klinik Pranvera Zejnullahu Raci, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.