LAJMI I FUNDIT| ZRRE-ja shtyn ekzekutimin e vendimit për shtrenjtimin e energjisë elektrike

Zyra e Rregullatorit për Energji ka bërë të ditur se bordi pas mbledhjes së mbajtur të premten, ka shtyer ekzekutimin e vendimit të datës 8 shkurt 2022, sipas së cilit edhe u shtrenjtua energjia elektrike.

ZRRE përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe e ka vërtetuar aktvendimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike.

“ZRRE më datë 18 maj 2022, ka pranuar nga Gjykata e Apelit Aktvendimin AA.nr. 364/2022 me të cilin, Gjykata ka refuzuar ankesën e ZRRE-së dhe ka vërtetuar Aktvendimin e Gjykatës Themelore për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për tarifat me pakicë të energjisë elektrike, të aprovuar nga ZRRE, derisa Gjykata të vendosë me vendim përfundimtar gjyqësor, përkitazi me padinë e paditëses”, thuhet në këtë komunikatë.

Mes tjerash, shkruan se sipas situatës së krijuar, bordi i ZRRE-së ka vendosur që të shtyhet ekzekutimi i vendimit që u mor më datë 8 shkurt, përmes së cilit edhe u shtrenjtua energjia elektrike.

“Si pasojë e gjendjes së krijuar, Bordi i ZRRE-së me datë 20 maj 2022, në Seancën e jashtëzakonshme, ka nxjerr vendim, me të cilin shtyhet ekzekutimi i Vendimit V_1489_2022 i datës 08.02.2022, sipas Aktvendimit AA.nr.364/2022 të Gjykatës së Apelit. Të gjitha vendimet e Bordit të ZRRE do të publikohen në faqen elektronike zyrtare të ZRRE-së”, thuhet në njoftim.

Çfarë thuhej në vendimin që u mor më 8 shkurt 2022?

Sipas vendimit të datës 8 shkurt të Zyrës së Rregullatorit për Energji, çmimi i ri i energjisë për konsumatorët që harxhojnë mbi 800 kWh në muaj ishte 12.52 centë për orë.

Të njëjtat tarifa kishin hyrë në fuqi nga 9 shkurt 2022 dhe parashihej që të aplikohen deri më 31 mars 2023.

Gjykata e Apelit më 18 maj ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për bllokimin e tarifave të shtrenjta të energjisë elektrike të vendosura nga Zyra e Rregullatorit për Energji.

Me 8 prill Partia Demokratike e Kosovës kishte ngritur padit ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se shtrenjtimi i rrymës dëmton qytetarët e vendit.