Turqia

LAJMI I FUNDIT: Tërmet i fortë në Turqi

Një tërmet me fuqi të dridhjes prej 5 shkallësh të Rihterit është regjistruar në provincën juglindore turke, Siirt, të enjten në mëngjes.

Lajmin e bëri të ditur Agjencia për Menaxhimin e Fatkeqësive.

Epiqendra e tërmetit ishte në thellësi prej 14 kilometrash në distriktin Kurtalan në orën 8 e 45 minuta sipas kohës lokale, njoftoi kjo agjenci.

Autoritetet gjithashtu bënë të ditur se deri më tani nuk është raportuar për viktima apo persona të lënduar nga ky tërmet, shkruan Anadolu.

“Nuk ka dëmtim në Siirt dhe qendrën e distriktit Kurtalan. Ekipet e shpëtimit janë duke i vazhduar kontrollet në zonat rurale”, tha Osman Hacibektasoglu, guvernator i provincës Siirt.

Ai shtoi se pas tërmetit, autoritetet janë duke e vëzhguar gjendjen në terren për ta vlerësuar situatën dhe se organet lokale janë në kontakt edhe me rajonet ku ndodhen stacionet e policisë.

Ndryshe, Turqia shtrihet në një zonë me aktivitet mjaft të lartë sizmik dhe shpesh goditet nga tërmetet. Në tetor të këtij viti, 116 persona vdiqën nga një tërmet me fuqi prej 7 shkallësh që e goditi Izmirin.