Të martën definitivisht do të shqyrtohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim, kurse më pas do të bëhet votimi, dhe atë në dy raunde.
Kështu pra hidhet poshtë kërkesa e Serbisë që Kosova mos të hyjë në rend ditë në Asamblenë e Përgjithshme të Interpolit që po mbahet në Dubai, shkruan Ballkani.info.
Lajmin fillimisht e ka publikuar Sputnik-u rus, e më pas edhe B92.net.
Siç thuhet, kryesuesi i Interpolit e ka refuzuar kërkesën e Serbisë dhe pesë vendeve tjera anëtarë që Asambleja e Përgjithshme të votojë për heqjen nga rendi i ditës të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë institucion.
Kështu që kryesuesi i Asamblesë në fillim të mbledhjes e ka refuzuar futjen në rend të ditës të kërkesës të Serbisë e mbështetur edhe nga Kina, Spanja, Qipro, Argjentina dhe Surinami.
Për shkak të këtij vendimi të Asamblesë së Përgjithshme, vendet anëtare nuk do të mund të deklarohen për kërkesën e Kosovës për anëtarësim, pasi që është votuar si tërësi rendi i ditës.
Kështu që të martën, definitivisht do të shqyrtohet kërkesa e Kosovës, e më pas do të bëhet votimi, dhe atë në dy raunde. Është e nevojshme që Asambelja të votojë me 2/3 e votave, kurse për këtë do të jenë dy mundësi.
Pra, nëse nuk ka sukses votimi i parë, atëherë do të ketë edhe një votim tjetër, dhe nëse as atëherë nuk e merr shumicën e nevojshme, kërkesa do të hidhet poshtë. /Ballkani.info/







