Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja Osmani për të enjten.

Këtë e konfirmoi për Ballkani.info, zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemaili.

“Po, kryetari Ramush Haradinaj ka pranuar ftesën për takim nga Presidentja Vjosa Osmani. Kryetari Haradinaj do t’i përgjigjet pozitivisht kësaj ftese dhe të enjten merr pjesë në takim”, ka thënë Xhemaili.

Edhe kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ka deklaruar se do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së Osmanit. LDK-ja dhe Abdixhiku ende nuk kanë kthyer përgjigje.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të nisë konsultime lidhur me konstituimin e Kuvendit.

Këtë e kanë bërë të ditur nga vet Presidenca, derisa thanë se ftesat janë dërguar dhe po i presin konfirmimet.

“Presidentja Osmani do të fillojë një seri konsultimesh rreth çështjes së konstituimit të Kuvendit nga data 15 maj. Ftesat tashmë janë dërguar për takimet e para dhe po presim konfirmimet”, e konfirmoi Bekim Kupina nga Presidenca.

Ky takim vjen pas shprehjes së gatishmërisë së Presidentes Osmani për të pritur liderët e të gjitha partive politike në një takim gjithëpërfshirës, nëse ata e konsiderojnë të nevojshëm një angazhim të tillë.