LAJMI I FUNDIT| Policia e Kosovës merr vendim për rritjen e prezencës në veri

Ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës.

Në aspektin operacional policor, Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin dhe kontrollin e situatës së sigurisë dhe ruajtjen e rendit në gjithë vendin, si dhe ndërmarrjen e veprimeve për zbatimin e ligjshmërisë në vend, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

“Prioritet i Policisë së Kosovës është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, policia ditëve në vijim do të rris prezencën policore në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë. Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës. Policia e Kosovës do të vazhdojë angazhimin e saj në realizimin e detyrave policore në shërbim të qytetarëve të vendit, komuniteteve pa dallim dhe ofrimin e sigurisë së përgjithshme në gjithë territorin e vendit”, thuhet në njoftim.