Për një proces që dyshohet se ka pasur manipulime brenda Lidhjes Demokratike në zgjedhjet e 9 shkurtit, ka nisur të lëviz Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Fjala është për dyshimet se pati menaxhim dhe administrim të votave me postë nga mërgata, për kandidatë të caktuar të këtij subjekti politik .

Gjithçka ka nisur pas thirrjeve publike dhe ankesave që ka bërë Lëvizja Vetëvendosje disa herë për “dallimin e madh” të votave nëpër përfaqësitë diplomatike dhe atyre me postë për kandidatë të caktuar për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Se prokuroria ka nisur ta ‘hallakatë’ këtë punë, e kanë bërë të ditur burime të mirë të informuara të Periskopit.

Prokuroria e Prishtinës  tashmë ka nisur t’i intervistojë ata që “janë lënduar nga”  procesi i votimit me postë për Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Disa prej tyre që kanë arritur të bëhen deputet nga zgjedhjet e 9 shkurtit, por edhe disa të tjerë që nuk kanë arritur të fitojnë mandatin, tashmë janë telefonuar nga Porkuroria Themelore (emra të njohur për redaksinë).

” Disa nga ta emra të njohur në Lidhjen Demokratike të Kosovës tashmë janë thirrë në telefon nga një prokuror i themelores që po merret me këtë rast”, ka thënë burimi i mirë informaur.

Tutje ky burim ka sqaruar se askush brenda LDK`së nuk ka deponuar ose ankuar në Prokurori për dyshimet se u favorizuan kandidatë të caktuar dhe për dyshimet për ‘vjedhje’ votash brenda partisë.

Ata që janë të paknaqur me procesin e votimit me postë nga diaspora, brenda LDK`së tashmë dihet që kanë reaguar publikisht.