LAJMI I FUNDIT: Klubet e natës hapën nga dita e mërkurë

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës sapo ka njoftuar se pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia është marrë vendim që klubet e natës të hapën nga dita e mërkurë.

Sipas këtij njoftimi, përfaqësuesit e Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, para pak çastesh zhvilluan një takim me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia. “Nga ky takim dolëm me informata të caktuara, me ç’rast ju njoftojmë se këtë të mërkure do të ketë lirim të masave AntiCovid, ku do të mundësohet funksionalizimi i Klubeve të Natës. Ky lajm është shumë i mirë, duke pasur parasysh sfidat që ky nënsektor i gastronomisë po kalon prej më shumë se 1 vit e pesë muaj. Këto masa pritet që të jenë në fuqi deri më datë 23 Korrik ku të njëjtjat do të rishikohen, dhe nga këto masa do të fillojë edhe vaksinimi masiv i popullatës”, thuhet ndër tjera në njoftim.

Sipas tyre, vaksinimi është obligim i secilit dhe ndaj më të dashurve tanë.

“Sektori i gastronomisë ka lehtësira në procesin e vaksinimit me prioritet si kategori e veçantë nga MSH, e cila duhet të shfrytëzohet sa më parë nga bizneset lidhur me përparësitë që do të kenë në të ardhmen.

Andaj, ju bëjmë thirrje që në mënyrë që të operojmë edhe më lehtësisht në masat tjera, vaksinimi i gjerë i popullatës, do të jetë obligim për secilin prej nesh për të mundësuar operimin më liberal të bizneseve tona. Rrjedhimisht, duke pasur parasysh që kjo masë lehtësuese do të mirret, ju njoftojmë se protestën e organizuar nga përfaqësuesit e të gjitha Klubeve të Natës dhe përkrahur nga SHGK, e kemi anuluar.

Ju dëshirojmë punë të mbarë, dhe mbi të gjitha shëndet!”, thuhet në fund të njoftimit.