Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka reaguar edhe një herë para pak minutash në llogarinë e tij në Facebook.
Ai ka thënë se është kundër marrëveshjes për Liqenin e Ujmanit. Sipas tij, ai ka kërkuar nga kryeministri Hoti që ta heqë këtë pikë nga marrëveshja, por nuk ka hasur në mirëkuptim.
“AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.
Postimi i plotë:
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, beson fuqishëm në marrëveshjet e ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si partneri ynë kryesor në arritjen e lirisë dhe shtetformim.
Ne kemi punuar shumë që të arrihet një marrëveshje normalizimi mes shteteve, bashkëpunim ekonomik deri në njohjen reciproke.
Fatkeqësisht situatën në dialog e vështirësoi njëra nga pikat e draft-marrëveshjes që flet për Ujmanin. Ne nuk e vlerësojmë që Serbia duhet të jetë palë për të ardhmen e Ujmanit. Jemi të hapur për Departamentin e Energjisë së Amerikës, por jo për një marrëveshje trepalëshe ku përfshihet edhe Serbia. Implikimet që mund të sjellë në të ardhmen, mund të jenë të pa përballueshme për Kosovën.
Përkundër faktit që kam biseduar me kryeministrin Hoti për ta hequr këtë pikë, nuk kemi hasur në mirëkuptim nga ai dhe jemi të detyruar të mos e përkrahim këtë marrëveshje.
AAK-ja nuk është e gatshme për bashkëpunim as në qeverisje e as në çfarëdo forme, sepse ne nuk do të ndihmojmë një marrëveshje, ku Serbia qoftë edhe indirekt bëhet palë në resurset e Kosovës.
RH







