LAJMI I FUNDIT: Flasin nga Shtëpia e Bardhë: Këto janë tri çështjet kryesore që do të diskutohen me 4 Shtator

Gjatë ditës së enjte në Washington të SHBA-së pritet që të fillojnë bisedimet Kosovë-Serbi nën ndërmjetësimin e emisarit Richard Grenell.

Një prej këshilltarëve të presidentit amerikan Donald Trump ka konfirmuar se në takim do të diskutohet vetëm rreth sektorit të ekonomisë dhe tri marrëveshjeve për rrugë, hekurudhave dhe linjat ajrore.

Pas më shumë se dy dekadave që prej kur ka përfunduar lufta mes Kosovës dhe Serbisë, ku kjo e fundit vrau e masakroi mijëra persona, Beogradi refuzon ta njohë pavarësinë e Prishtinës të shpallur në vitin 2008.

Tani, zyrtarët amerikanë po shpresojnë që duke i bashkuar në një tavolinë kryeministrin kosovar, Avdullah Hoti dhe presidentin serb, Aleksandar Vucic, do të ndihmojnë në rregullimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

Kështu të paktën ka deklaruar në kushte anonimiteti për mediat amerikane një këshilltar i presidentit amerikan Donald Trump, përcjell Gazeta Metro.

“Kemi mbetur në diskutime politike dhe po vazhdojmë t’i ngrejmë çështjet e njëjta vazhdimisht, por pa bërë progres. Ne besojmë që koncentrimi tek çështjet ekonomike do të kishte më shumë zhvillim”, tha ai.