LAJMI I FUNDIT: Bali Muharremaj e dhuron rrogën e muajit shkurt për Fondin e Sigurisë

Kryeministri Albin Kurti ka njoftuar se për shkak të nevojave të FSK-së dhe situatës aktuale ndërkombëtare, e kanë themeluar Fondin e Sigurisë.

Kurti në një postim në Facebook tha se ky vendim u mor pas konsultimeve me partnerët ndërkombëtarë. Me financat e mbledhura, Qeveria synon t’i përdor sipas strategjisë së sigurisë shtetërore të Kosovës.

Dhe i pari që ka kontribuar në këtë Fond tepër të rëndësishëm për sigurinë e vendit tonë, është kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj.

Muharremaj ka bërë të ditur se rrogën e muajit shkurt do ta kalojë në Fondin për Siguri.

Postimi i plotë:

Rroga ime e muajit shkurt do të kaloj në Fondin për Siguri.

Si ushtarak me profesion, por edhe si ish pjesëtar i UÇK-së, e konsideroj se është momenti i duhur ta ndihmojmë avancimin e ushtrisë sonë, pra Forcës së Sigurisë së Kosovës.

I ftoj deputetët, ministrat dhe udhëheqësit e dikastereve të tjera të ndajnë të ardhurat e tyre për sigurinë e vendit tonë.

Megjithëse qytetarët tanë po përballen edhe me rritje çmimesh, si në energji elektrike e shumë të tjera, le ta bartim më shumë ne udhëheqësit peshën e kësaj situate.

Me respekt

Bali Muharremaj