Aeroplanmbajtësja amerikane USS Nimitz është nisur për në Lindjen e Mesme, ndërsa një numër i madh avionësh amerikanë për furnizim me karburant janë zhvendosur në Evropë, për të hapur opsione shtesë për presidentin Donald Trump, konfirmuan për Reuters dy zyrtarë amerikanë.
Njëri prej tyre theksoi se masa ishte planifikuar paraprakisht, por gjithçka vjen në mes të tensioneve në rritje midis Iranit dhe Izraelit, të cilat deri më tani kanë marrë qindra jetë dhe kanë përfshirë sulme ndaj objektivave kryesore ushtarake dhe energjetike, transmeton Ballkani.info.
Presidenti i SHBA Donald Trump tha gjatë një konference për shtyp në samitin e G7 në Kanada se Irani po tregonte shenja të dëshirës për të de-përshkallëzuar konfliktin, por ai dyshonte se kishte ende kohë.
Trump: Irani dëshiron bisedime, por mund të jetë tepër vonë
“Po, ata duan të bisedojnë, por duhet ta kishin bërë më herët”, tha Trump kur u pyet nëse kishte marrë mesazhe përmes ndërmjetësve. “Irani nuk po e fiton këtë luftë”.
Trump shtoi se konflikti ishte “i dhimbshëm për të dyja palët” dhe i kërkoi Iranit të hynte menjëherë në negociata. “Ne duhet të fillojmë të flasim tani, para se të jetë tepër vonë,” tha ai.
Kur u pyet nga gazetarët se çfarë do t’i shtynte SHBA-të të përfshiheshin drejtpërdrejt, Trump u përgjigj shkurt: “Nuk dua të flas për këtë”.
Trump tha më parë se SHBA do të vazhdojë të mbështesë mbrojtjen e Izraelit, por nuk do të konfirmojë nëse ai i kishte kërkuar kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu të ndalonte sulmet ndaj Iranit. /Ballkani.info/







