Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar në platformën “Truth Social” se Partia Republikane është më e bashkuar se kurrë pasi urdhëroi sulmet ajrore ndaj objekteve bërthamore iraniane.
Trump ka marrë mbështetje të konsiderueshme brenda partisë, raporton Sky News, por të paktën dy kongresmenë republikanë kanë vënë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e sulmit, i cili nuk ishte autorizuar nga Kongresi, transmeton Ballkani.info.
“Unitet i madh në Partinë Republikane, ndoshta unitet siç nuk e kemi parë kurrë më parë. Tani le të përfundojmë Projektin e Madh, të Bukur. Vendi ynë po ecën SHKËLQYESHËM. MAGA!”, ka shkruar Trump.
MAGA është Make America Great Again (ta bëjmë Amerikën sërish të madhe).
Përfaqësuesi i Ohajos, Warren Davidson, tha se ishte e vështirë të imagjinohej një shpjegim i arsyeshëm se si sulmet mund të justifikoheshin me kushtetutë. Komente të ngjashme janë bërë nga Thomas Massie, një kongresmen nga Kentaki.
Disa demokratë kanë bërë thirrje tashmë për shkarkimin e Presidentit Trump për ndërmarrjen e veprimeve ushtarake pa miratimin e Kongresit. /Ballkani.info/







