Lajmërohet KFOR-i: Hyrja e forcave serbe në Kosovë në kuadër të patrullimeve të përbashkëta

KFOR-i përmes një njoftimi për media ka thënë se hyrja e xhandarmërisë serbe në territorin e Kosovës të premten, ishte në kuadër të patrullës së sinkronizuar rutinore.

Pas reagimeve të shumta, pasi forcat serbe u panë në territor të Kosovës, në komunën e Kamenicës, KFOR-i ka thënë se kjo patrullë bëhet me qëllim që të ofrohet siguri.

“Më 07 gusht 2020, rreth orës 17:20, elementët e KFOR-it nga Komanda Rajonale Lindje zhvilluan një Patrullë të Sinkronizuar me homologët e Forcave të Armatosura Serbe në Linjën Kufitare Administrative në afërsi të fshatit Hodonovc, në komunën e Kamenicës. Që nga viti 2008, patrullimet e sinkronizuara zhvillohen në mënyrë rutinore së bashku nga KFOR-i dhe Forcat e Armatosura Serbe përgjatë Vijës Kufitare Administrative për të ofruar siguri dhe për tu siguruar që nuk ka aksidente. Në këtë drejtim, KFOR-i gjithashtu zhvillon patrulla të përbashkëta me Organizatat e Sigurisë së Kosovës në afërsi të Vijës Kufitare Administrative”, thuhet në njoftim të KFOR-it.

KFOR-i ka thënë se vija kufitare mes Kosovës e Serbisë, e gjatë rreth 350 kilometra “nuk është shënjuar qartë apo e përcaktuar nga elemente të terrenit natyror dhe të identifikueshëm, siç janë lumenjtë ose vargmalet, por është shënuar vetëm në harta”.

Tutje KFOR-i ka thënë se gjatë patrullimeve të përbashkëta ndodh që të ketë lëvizje “me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni”. Kjo organizatë, ka mohuar se në rastin në fjalë forcat serbe kanë qenë të vetme, pa anëtarë të KFOR-it.

“Ndërsa kryejnë aktivitetet e tyre, patrullimet e sinkronizuara duhet t’i përshtatin itineraret e tyre në kufizimet e terrenit. Kjo nënkupton që patrullat e sinkronizuara të KFOR-it dhe Forcave të Armatosura Serbe lëvizin përgjatë Vijës Kufitare Administrative me një shkallë përshtatjeje të imponuar nga terreni. Sidoqoftë, në asnjë moment elementet e Forcave të Armatosura Serbe të një patrulle të sinkronizuar nuk ndahen nga anëtarët e KFOR-it dhe ky ishte rasti edhe këtë herë”, thuhet tutje në njoftim.