Lajmërohet Donika Gërvalla: Jam shëndosh si ‘molla’, falë vaksinës po e kaloj lehtë Covidin

Pas lajmeve se Ministrja e Punëve të Jashmte, Donika Gërvalla, është mjaft rëndë pas infektimit me Covid, ka ardhur një reagim nga vetë Gërvalla.

Gërvalla ka thënë se është shëndosh si ‘molla’ dhe se falë vaksinës nuk ka aptur komplikime të rënda.

Ajo ka bërë me dije se këtë kohë të karantinës e ka shfrytëzuar për të komunikuar me kolegë nga e gjithë bota.

“Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën” shkruan Gërvalla në Facebook.

Reagimi i plotë:

Të nderuar miq,

të gjithë juve që më keni uruar shërim të shpejtë, ju falënderoj nga zemra.
Ndodhem tashmë në ditët e fundit të karantinës si pasojë e infektimit me Covid19 dhe jam shëndosh si molla, duke punuar çdo ditë me shumë vullnet për të përfunduar së paku njëpjesë të punëve të shumta që na presin. Falë vaksinës së marrë, kam pasur fatin të mos ballafaqohem me komplikime të rënda.

Teknologjia bën të mundur kryerjen e shumicës së detyrave edhe nga distanca dhe prandaj edhe gjatë karantinës kam shfrytëzuar mundësinë për të zhvilluar ndër të tjera edhe biseda të shumta të rëndësishme me kolegë nga e gjithë bota, ndërkohë që jo më larg se mbrëmë kam pasur një bisedë tepër interesante dhe të frytshme me Ministrin e Punëve të Jashtme të Izraelit.

Sfidat e kësaj pandemie janë të mëdha dhe prekin shumë aspekte të jetës sonë. E rëndësishme të mos harrojmë në asnjë moment familjet, të cilat kanë humbur të dashurit e tyre apo ballafaqohen me komplikime të rënda të të afërmve të tyre dhe që kanë nevojë për solidaritetin dhe ndihmën tonë.

Duke u vaksinuar vet dhe duke ndihmuar edhe në vaksinimin e miqve dhe të afërmve tanë, secili prej nesh mund të japë një kontribut të vlefshëm në kapërcimin e kësaj sfide, e cila ka përfshirë gjithë botën dhe si pjesë të kësaj bote edhe Kosovën.
Faleminderit shumë edhe një herë për kujdesin e treguar dhe shihemi javën e ardhshme.