Ndonëse ndodhet në arrati prej më shumë se një muaji në kërkim nga Policia e Kosovës, gangsteri Astrit Mehmeti, i njohur me nofkën ‘Llepota’ është lajmëruar në Facebook.

Përmes një profili të rrjetit social Facebook, i emërtuar si Astrit Llepota, i dyshuari për plagosjen e katër personave para klubit të natës “Duplex” më 8 nëntor, ka komentuar në një postim të Gazetës Online Insajderi në Facebook. I ka dal në mbrojtje ministrit të Tregtisë, Endrit Shalës, i cili sulmoi fizikisht gazetarin Ensar Ramadani të martën.

Në postimin e Gazetës Online Insajderi në Facebook lidhur me sulmin e ministrit Shala ndaj gazetarit të portalit Indeksonline, ‘Llepota’ ka sugjeruar se “mirë ia ka ba” ministri që sulmoi gazetarin.

“O mirë ja ka ba se kta hajnë shumë shumë… dhe desinformojnë shumë”, ka shkruar Llepota.

Ky profil në Facebook i Astrit Mehmetit është hapur rishtazi në muajin dhjetor. Ai përmban fotografi të të dyshuarit nga Podujeva.

Dy javë më parë, drejtori i Policisë së Kosovës deklaroi se arrestimi i Astrit Mehmetit – Llepotës, është çështje orësh.

“Në momentin e parë që kemi informacion ku është Astrit Mehmeti, do ta arrestojmë. Jemi duke punuar, besoj që do të arrestohet shumë shpejt. Është cështje e hetimeve dhe verifikimit të vendndodhjes, në momentin e parë që merret vesh vendndodhja e tij, nuk ka person që është i paprekshëm, është çështje orësh ose ditësh kur do të arrestohet”, deklaroi Qalaj më 8 dhjetor.

E, këtë deklaratë të Qalajt e kishte sfiduar sërish Llepota. Një kushëri i tij, me emrin Edi Mehmeti, i kishte shkruar Insajderit pas publikimit të deklaratës së drejtorit të Policisë.

Edi Mehmeti kishte dërguar një fotografi të tij, në të cilën shfaqej nën shoqërinë e Astrit Mehmetit me një mbishkrim mbi fotografi që sugjeronte se ata ndodheshin në Barcelonë, qytetin veri-lindor të Spanjës.

“Tfala keni qeshtje orësh”, ishte mesazhi i Edi Mehmetit, kushëririt të ‘Llepotës’ drejtuar Gazetës Insajderi.