Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, njëherësh edhe anëtarë i Lëvizjes Vetëvendosje, ka reaguar pas shkarkimit nga detyra të ministrit të Brendshëm, Agim Veliut, nga Kryeministri Albin Kurti, gjatë ditës së sotme për shkak të qëndrimeve të ndryshme me Qeverinë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, të shprehura nga ana e Veliut në publik.

Bahtiri i cili është mik i mirë me ministrin Veliu ka thënë se një vendim i tillë ka qenë befasi për të, duke shtuar se nuk ka biseduar ende me Kurtin për të parë se çfarë ka ndodhur.

”Unë ende s’kam biseduar me Kryeministrin për ta ditur saktë se çka ka ndodhur. Ka qenë befasi për mua dhe do të shohim në të ardhmen. Nuk kam siklet unë, por nuk e di saktësisht se çfarë ka ndodhur. E kemi situatën sic e kemi dhe kam shumë takime me njerëzit”, ka thënë ai në Info Magazinë.

Bahtiri tutje shprehet kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, duke arsyetuar punën e Qeverisë.

”Por sa i përket shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme jam kundër. Është një Qeveri e cila është duke punuar me tërë kapacitetin e vet për t’ju shërbyer qytetarëve. Puna e tyre e palodhshme ka qenë shumë efektive. Është e papranueshme për mua të shpallet një gjendje e jashtëzakonshme, kur ne na duhen mjekët, Policia e Kosovës. Kemi nevojë për t’i përkrahur mjekët dhe secilin”, ka thënë ai.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut tutje tha se të dy partitë pushtetare duhet të diskutojnë bashkë në mënyrë që të gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth tejkalimit të kësaj situate.