Lajm i mirë/ Vogëlushja nga Kosova e mposhtë për të pestën herë kancerin

Hana një vogëlushe nga Kosova e ka mposhtur për herë të pestë kancerin. Mjeku i saj, Ismail Lutolli, ka njoftuar se pas trajtimit në Turqi, në trupin e vogëlushes nuk ka më asnjë qelizë kanceroze.

Sëmundja e Hanës u rikthye pesë herë dhe kjo është hera e pestë që trupi i kësaj vajze të vogël pastrohet nga kanceri pas operacionit, kimioterapisë dhe radioterapisë.

“Ne sinqerisht shpresojmë dhe lusim Zotin që kjo të jetë hera e fundit e kësaj sfide, e Hana jonë ta kapërcejë këtë sëmundje përgjithmonë”, është shprehur Dr. Ismail Lutolli, pediatri që ka kontrolluar Hanën e vogël.

Ajo do të kontrollohet çdo 3 muaj përgjatë dy viteve të ardhshme.

“Hana ka qenë paciente e imja gjatë kohës së punës sime në Klinikën e Pediatrisë në Sarajevë në repartin e Hemato-Onkologjisë. Gjithmonë kam besuar se kjo vajzë mund t’ja dal mbanë me sukses dhe sot ndihem i lumtur për këtë sukses në shërimin e saj”, ka thënë Dr. Lutolli, Subspecialist Hematolog-Onkolog Pediatrik.