Katër gra shtatzëna deri më tani në bazë të të dhënave zyrtare janë prekur nga Covid 19 në Kosovë. Derisa një nga to tashmë ka ndërruar jetë. Por gjendja shëndetësore e tre grave të tjera lehona tashmë është stabile. Madje njëra nga to, tashmë është shëruar plotësisht nga koronavirusi. E dy të tjera pritet që të sjellin në jetë së shpejti foshnjat e tyre. Drejtori i klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismaili ka dhënë detaje rreth gjendjes së tyre shëndetësore.

“Njëra nga pacientet me Covid pozitiv është në Klinikën Infektive duke u trajtuar. Ajo është në javën e 36 të shtatzënisë. Gjendja e saj shëndetësore është stabile. Ne në vazhdimësi jemi duke e vizituar atë”, shpjegon Ismajli.

Ai thotë se një paciente e cila është shtatzënë tashmë është shëruar plotësisht nga Covid 19.

“Edhe një paciente tjetër është në javën e 37. Ajo në dy testet e bëra ka rezultuar negativ. Pra është shëruar plotësisht. E kemi edhe një zonjë tjetër që ka Covid pozitiv e që është në javën e 35 e që jemi duke e trajtuar”, shpjegon Ismajli.

E vetëm në muajin prill në Gjinekologjinë e QKUK’së janë kryer gjithsejte 653 lindje. Ndërkohë në muajin mars 70 lindje.

“Në muajin mars kemi pas 709 lindje  ndërkaq në prill i kemi pas 653 lindje. Fluksi i punës është normal. Po kryhen rregullisht të gjitha lindjet. Kemi lehona që na vijnë edhe nga regjionet e tjera të Kosovës. Ne po punojmë me intensitet pothuajse normal”, thotë ai.

Ismajli tutje shpjegoi edhe për gjendjen e stafit mjekësor të Gjinekologjisë.

“Edhe stafi jon tashmë është shëruar dhe tashmë janë të gatshëm për punë”, thotë ai.

Që nga 13 marsi, kur edhe u shënuan rastet e para me pandeminë COVID-19 në Kosovë, janë regjistruar 799 raste, 22 kanë përfunduar me fatalitet, derisa 249 persona janë shëruar.

Po ashtu nga data 8 shkurt deri më 29 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 7.180 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.