Edhe pse një rritje drastike e të infektuarve me Covid-19 është regjistruar në 24 orët e fundit në Kosovë, edhe numri i të shëruarve nga kjo sëmundje po rritet.

Gjatë ditës së sotme, më 12 prill, është shëruar edhe një pacient i cili ishte infektuar me Covid-19, duke çuar numrin e përgjithshëm të të shëruarve në 59.

Këtë e ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, përmes një njoftimi në Facebook, duke mos treguar më shumë detaje rreth personit të shëruar.

“Sot më 12 prill 2020, është shëruar edhe një (1) pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej pesëdhjetë e nëntë (59)”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se vetëm gjatë ditës së sotme janë shënuar 79 raste pozitive me këtë virus në Kosovë, shifër kjo e cila qe më e madhja që nga 13 marsi, kur edhe u konfirmuan dy rastet e para pozitive me këtë virus, ndërkaq numri i përgjithshëm i të prekurve me Covid-19 deri më tani ka shkuar në 362.