Lajm i mirë: Kosova pranon një numër të madh testesh për zbulimin e COVID19

UNDP-ja dhe Qeveria e Luksemburgut i kanë dhuruar Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike (IKSHPK) 5.000 komplete teste për zbulimin e COVID-19.

Kjo është bërë e ditur të premten përmes një komunikate nga UNDP-ja. Sipas komunikatës, kjo është ngarkesa e dytë që i dorëzohet IKSHPK-së, si ndihmë për të zbuluar dhe luftuar koronavirusin.

“UNDP u gjendet pranë institucioneve të Kosovës në luftën kundër pandemisë COVID-19. Donacioni i sotëm u bë i mundur përmes kontributit bujar nga qeveria e Luksemburgut përmes LuxDev në Kosovë, të cilën e falënderojmë me gjithë zemër. Ne jemi duke bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe institucionet tjera në Kosovë për t’i mbështetur ata në përmbushjen e nevojave të menjëhershme dhe menaxhimit të efektshëm të krizës,” tha Maria Suokko, Përfaqësuese e Përhershme e UNDP-së.

Natacha Gomes, ushtruesja e detyrës e të ngarkuarës me punë në Ambasadën e Dukatës së Madhe të Luksemburgut në Prishtinë, tha se “ngarkesa e sotme është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë që ne po ndërmarrim së bashku me partnerët tanë të besuar siç është UNDP”.

Sipas komunikatës, marrëveshja me Qeverinë e Luksemburgut përmes Lux Development S.A. kap vlerën e përgjithshme prej 1 milion euro, nga e cila 460.000 do të përdoren për blerjen e deri 20.000 testeve të zbulimit dhe ekstraktimit COVID-19 për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

“Kjo do t’i mundësojë Ministrisë së Shëndetësisë të gjurmojë në mënyrë efikase përhapjen e virusit dhe të lokalizojë pikat kyçe të epidemisë, si bazë për parashikimin dhe planifikimin e strategjisë së kontrollit. Shuma e mbetur e kontributit do të përdoret për ndihmë humanitare për familjet që janë prekur veçanërisht nga COVID-19”, thuhet në komunikatë.